Shqipëria krijon ligj të ri për shtetësinë, pasaporta edhe për kosovarët?

Share

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në Shqipëri, më 31 korrik, është miratuar projektligji i ri “Për Shtetësinë”. Në projektligjin që do t’i dorëzohet Parlamentit ka disa ndryshime thelbësore, siç është Neni 6 ku parashikohet “Fitimi i shtetësisë me origjinë”.

Aty parashikohet:

1.Shtetësia shqiptare fitohet nga i huaji, të paralindurit e të cilit kanë origjinën shqiptare, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë, deri në tri shkallë, e kërkuesit me të paralindurin.

2.Në këtë rast shtetasi paraqet kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare në bazë të origjinës dhe plotëson kriteret e përcaktuara në shkronjat “dh” dhe “ë”, të pikës 1, të nenit 8, të këtij ligji.

3.Dokumentacioni i nevojshëm që provon origjinën shqiptare të kërkuesit përcaktohet me udhëzim të ministrit.

 

Ky nen u krijon mundësinë të gjithë shqiptarëve që kanë lindur në shtete të tjera, por që arrijnë të provojnë origjinën shqiptare, të marrin shtetësinë e Shqipërisë. Qytetarët e Republikës së Kosovës u përjashtuan nga marrja e shtetësisë shqiptare me një vendim të korrikut të 2013-ës, pavarësisht se mund të provojnë origjinën (kombësinë) shqiptare.

Por ky vendim shfuqizohet në projektligjin e ri.

Në projektligj shkruhet: “Ligji nr.8389, datë 5.8.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, i ndryshuar, vendimi nr.554, datë 3.7.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave për njohjen ose fitimin e shtetësisë shqiptare nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës”, dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen.”

Një tjetër ndërhyrje e rëndësishme është edhe dhënia e shtetësisë shqiptare për këdo që lind brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Në nenin 4 “Mënyrat e fitimit të shtetësisë”, përveç origjinës është shtuar edhe: “lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Kjo do të thotë se Shqipëria pranon parimin e “Jus soli”, që i jep shtetësinë çdo personi që lind brenda territorit të saj edhe nëse asnjë prej prindërve nuk ka shtetësinë shqiptare. Ky parim respektohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në disa shtete të Evropës janë disa kritere shtesë që duhet të plotësohen.

Marketing



Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “HaniElezit.Net”

Comments are closed.

error: Ndalohet përdorimi i materialit!