Xhemsedin Ibrahim Suma (27.6.1966 – 3.3.1999)

Share

Xhemsedin Ibrahim Suma u lind më, 27. 6. 1966, në fshatin dimcë. Mësimet e para i kreu në shkollën fillore “Tefik Qanga” në Han të Elezit, ndërsa shkollën e mesme, drejtimin teknik për agjustator, e kreu në Kaçanik. Ishte i martuar dhe baba i një vajze. Robëria serbe në Kosovë Xhemsedinin e shqetësonte shumë. Kjo bëri që ai t’iu përkushtohej idealeve kombëtare për çlirimin e Kosovës. Më 18 qershor të vitit 1998, pas bastisjes që bëri policia serbe në shtëpinë e tij, keqtrajtoi Xhemsedinin, vëllanë Hyseinin dhe babanë e tij, të cilët i arrestuan, ndërsa Xhemsedinin e liruan me kusht që ta gjejë vëllanë tjetër, Rufkiun i cili kishte formuar njësitin e parë të UÇK-së dhe ishte vendosur në Puset e Nikës.
Xhemsedini largohet nga shtëpia dhe nuk bie më në duart e policisë serbe, për shkak të ndjekjes nga forcat pushtuese. Derisa njësiti i UÇK-së,ishte i vendosur në Puset e Nikës, çlirimtarët po përgatiteshin për luftë më të gjerë dhe të vendosur. Një ndihmë të madhe, nga qershori i vitit 1998, kësaj njësie të UÇK-së u kishte dhënë edhe Xhemsedin Suma, duke i mbajtur kontaktet e rregullta me këta ushtarë. Në korrik të vitit 1998 edhe drejtpërdrejt vendoset në pikën e luftës, në Puset e Nikës. Detyrë kryesore ka pasur furnizimin me armë të UÇK-së, ndërsa stërvitjet ushtarake i ka kryer në Puset e Nikës. Ka qenë ushtar i Kompanisë së parë, të Batalionit të Tretë Brigadës 162 ” Agim Bajrami”. Në qershor të vitit 1999, Bataloni i Tretë i kësaj brigade u rrit dhe u riorganizua në Brigadën 164 “Gafurr Loku”. Ka kryer detyrën e udhëheqësit të grupit, furnizuesit dhe komandantit të togut në atë njësi. Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë kanë qenë : Nuri Bushi, Rufki Suma, Emrush Suma, Bekim Suma, Remzi Bushi, Nesim Curri, Remzi Dema, Izahir Troni, Rexhep Shkreta, Sali Ballazhi, Kadri Brava, Ekrem Brava, Ramadan Brava etj.
Në Puset e Nikës ka marrë pjesë në luftën e 26 shkurtit 1999 dhe në ofensivën më të madhe të armikut, më 2 mars 1999. Zhvillimet në terren kushtëzuan që luftëtarët e njësiteve të UÇK-së në Puset e Nikës të jenë më të mobilizuar dhe të gatshëm në çdo moment të ballafaqohen me sulmet e okupatorit serb, sepse forcat serbe provokonin popullatën dhe njësitet e UÇK-së. Më 26 shkurt të vitit 1999, qysh në orët e hershme të mëngjesit, njësi policore dhe ushtarë serbë bënë përpjekje që nga pozicioni i repetitorit (antena e TVP) t’i rrethojnë njësitet e UÇK-së. Mirëpo, ushtarët tanë kishin llogaritur në këto aksione të armikut dhe disa orë më vonë u ndeshën ballë për ballë me këto forca okupatore. Luftimet e para u zhvilluan në afërsi deri më 30 metra. Luftimet ishin të ashpra.
Duke ditur se këto njësi do të kenë nevojë për ndihmë, për njësitet e tjera të brigadës 162 “Agim Bajrami”, komanda e Brigadës 162, mori vendim që të dërgohet një kompani me përforcime. Këtë kompani e udhëhoqi komandanti i kompanisë Muzafer Qaka. Për t’i koordinuar punët më mirë gjatë luftimeve komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” vendosi ta dërgojë zëvendës-komandantin e Brigadës, Hajrush Kurtaj, në frontin e luftës, në Puset e Nikës.
Nga momenti i shpërthimeve në mes luftëtarëve të lirisë dhe ushtrisë serbe njësitet e UÇK-së u vendosën nëpër të gjitha pikat e luftës. Gjithnjë e më shumë njësiteve të çlirimtarëve, në Puset e Nikës, iu vinin në ndihmë vullnetarë nga treva e Hanit të Elezit dhe nga Kaçaniku. Për këto luftime të zhvilluara u bë jehonë e madhe në mjetet e informimit publik shqiptar dhe botëror. Pas mossuksesit të ushtrisë serbe, në Puset e Nikës, e cila mendonte se kishte të bënte me një grup të vogël dhe të paorganizuar të UÇK-së, duke shpresuar se lehtë do t’i fuste në rrethim për t’i shpartalluar ato, ushtria serbe filloi përgatitjet edhe më forta për një ofensivë të gjerë kundër njësiteve të UÇK-së në këto anë.
Më 2 mars të vitit 1999, nga orët e hershme të mëngjesit filloi rrethimi i pozicioneve të UÇK-së nga të gjitha drejtimet, me forca të mëdha ushtarake serbe, të ardhura nga Ferizaj në drejtim të Kaçanikut. Forcat armike fillimisht u vendosën përreth fshatrave Gajre, Puset e Nikës, Laq, Gorancë, Rezhancë etj. Këto forca ishin të pajisura me tanke, autoblinda, pizgauerë, artileri të rëndë dhe kamion të shumtë me ushtarë e teknik luftarake.
Sulmi mbi fshatin Puset e Nikës filloi në orën 5 të mëngjesit. Në fillim serbët hodhën raketa ndriçuese, pastaj granatuan me topa, tanke, mortaja kundër ajrore dhe me artileri të rëndë. Granatimi bëhej nga ana e Laçëve-Ura e Kashanit, Lagja Ramukaj, Uji i Thartë, Dheu i Bardhë, Kazerma ushtarake në Han të Elezit, nga Fabrika e Stiroporit (Kosova Plast), nga Rezhanca e Goranca, nga kodra e Glloboqices, pika këto strategjike, ku armiku e kishte vendosur armatimin e rëndë artilerik. Pas granatimeve vërshuan plumbat e snajperistëve të shumtë. Ushtarët e UÇK-së ishin të vendosur në pozicionet e tyre dhe rezistuan me të gjitha mjetet që kishin në disponim. Sulmet e armikut zgjatën deri në orët e vona të mbrëmjes. Këmbësoria serbe u përpoq të futet në fortifikatën e UÇK-së, por pa sukses. Në orën 18.00, forcat serbe filluan tërheqjen e tyre, duke lënë pas shumë të vrarë e të plagosur. Nga çlirimtarët nuk kishte të vrarë, ndërsa u plagosën Murat Loku dhe Mehmet Bilalli nga Lubishta e Vitisë.
Gjatë tërheqjes ushtria serbe dogji disa shtëpi, në Lagjen e Bushëve, kurse te antena e TVP-së, vendosen disa ushtarë serbë të cilët të nesërmen, më 3 mars 1999, u përleshën me ushtarët e UÇK-së, derisa këta bënin pastrimin e terrenit. Gjatë pastrimit të terrenit, pas ofensivës më të madhe mbi Puset e Nikës në vendin e quajtur “Maja e Shullanit”, Xhemsedini ishte së bashku me bashkëluftëtarin e tij, Bekim Sumën. Ata kishin bërë përpjekje t’u dalin prapa shpine ushtarëve serbë, të cilët tentonin t’i futnin në rrethim pozicionet e UÇK. Ndërkohë çlirimtarët tanë hasin në forca të tjera të ushtrisë dhe policisë serbe. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, Xhemsedini bie heroikisht. Në ato momente ndodhej disa metra para bashkëluftëtarit të tij, Bekim Suma. Bekimi arrin të kthehet në shtabin e Batalionit të Tretë, në Puset e Nikës, ndërsa trupin e Xhemsedinit e marrin forcat serbe dhe e dërgojnë në Morgun e spitalit të Prishtinës.
Trupi i Xhemsedin Sumës, më 14 mars të vitit 1999, u nxor nga Morgu i spitalit të Prishtinës dhe u varros në varrezat e qytetit të Ferizajt. Në varrim morën pjesë shumë qytetarë nga ana e Hanit të Elezit dhe Kaçanikut.
Trupi i dëshmorit, Xhemsedin Suma, më 29 gusht 1999 është rivarrosur me nderime ushtarake nga pjesëtarët e Bataloinit 164, “Gafurr Loku”, në “Varrezat e Dëshmorëve” në Puset e Nikës. Varrimi ishte madhështor. Në Puset e Nikës, në Varrezat e Dëshmorëve është rregulluar përmendorja kushtuar të gjithë të rënëve të kësaj brigade. Për jetën dhe veprën e dëshmorit është shkruar në librin “Shungullon Gryka e Kaçanikut” (Dëshmorët e Kombit) nga Hajrush Kurtaj, në Ditarin e luftës të Rufki Sumës-“Ushtria Çlirimtare e Kosovës të Hanit të Elezit, në Ditarin e luftës, të autori Mehmet Ballazhi, “Nën Flamurin e UÇK-së, në librin e Emrush Dërmjanit-“Hani i Elezit me rrethinë”.
Xhemsedin Suma pas vetes la motrat: Irfeten e Mahmudien, vëllezërit: Huseinin, Rufkien, Fadilin, bashkëshorten, dhevajzën  Mevliden.
Familja e Xhemsedin Sumës, në Han të Elezit, për birin dëshmor ka marrë Mirënjohje nga SHP I UÇK-së nga Ministria e Mbrojtjes e QPK, nga Komanda e Brigadës, nga Komanda e Zonës së Neredimes. (H. K.)

Marketing



Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “HaniElezit.Net”

error: Ndalohet përdorimi i materialit!